AlbanianSport.com 10.01.2017 19:50
ASNN – Basketbollisti shqiptar, Elvis Dusha, ka firmosur dje me skuadrën e Plimuth Rejdërs dhe ka dalë sot në stërvitje me skuadrën e tij të re. Një gjë të tillë e ka konfirmuar fillimisht dje vetë basketbollisti i ri nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa sot ka ardhur edhe njoftimi zyrtare në faqen e Internetit të klubit të basketbollit, i cili militon në nivelin më të lartë të basketbollit britanik, të njohur si BBL (Liga Britanike e Basketbollit).
Në fakt, Dusha ishte një nga dy përforcimet e dimrit për këtë skuadër, së bashku me Nejthën Skollin, që u prezantuan para medias. Dusha ka luajtur më herët këtë sezon në Superligën e Kosovës në basketboll për meshkuj, përpara se të rikthehet në Angli me Riding Rokets, prej nga erdhi edhe tej Plimuth Rejdërs. Të dy basketbollistët do të jenë në parket që më 22 janar 2017, për ndeshjen e vlefshme për Kupën e Britanisë në Basketboll për Meshkuj.
Plimuth Rejdërs janë një skuadër e themeluar në 1983-shin, por që iu bashkuan Ligës Britanike të Basketbollit për Meshkuj më 2004-ën, dhe ndeshjet i zhvillojnë në Pallatin e Sportit “Plimuth Paviljion”, me një kapacitet prej 1,500 vendesh. Aktualisht, kjo skuadër renditet e 6-ta në këtë veprimtari, me 14 pikë të grumbulluara pas 13 javësh, ku ka korrur 7 fitore dhe ka pësuar 6 humbje.
Dusha ishte pjesë e kontingjentit të Kombëtares së Shqipërisë, që u rikthye pas shumë vitesh të marrë pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Basketbollit për Meshkuj, duke konkurruar në një grup të vështirë përballë Malit të Zi, Gjeorgjisë dhe Sllovakisë. Në këto Eliminatore, Shqipëria, edhe falë kontributit të Dushës, bëri një paraqitje dinjitoze, duke gjetur edhe fitoren e parë pas 7 vitesh, atë ndaj Sllovakisë në Tiranë.