AlbanianSport.com 10.01.2017 15:15
ASNN – FIFA vendos: Botërori i vitit 2026 do të luhet me 48 skuadra, të cilat do të ndahen në 16 grupe me nga 3 secila. Dy të parat e çdo grupi kalojnë drejtpërdrejt në turin e 32-shes. Kështu është vendosur të martën në mbledhjen e Këshillit Drejtues të FIFA-s. Tanimë është zyrtare, Botërori 2026 do të luhet me 48 skuadra. Kështu ka vendosur organizmi që qeveris futbollin ndërkombëtar, gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues, që u zhvillua të martën në Zyrih.
Ka qenë presidenti i FIFA-s, Xhovani Infantino, ai që kishte kërkuar një gjë të tillë më parë. E me vota unanime, Këshilli Drejtues i FIFA-e e ka miratuar gjatë mbledhjes së të martës, kërkesën e presidentit Infantino. Pra nga 32 skuadra, që janë aktualisht tani, në Botërorin e 2026 do të kualifikohen 48 të tilla. Kjo gjë do të rrisë edhe numrin e ndeshjeve, nga 64 në 80. Fillimisht, skuadrat do të ndahen në 16 grupe me nga 3 skuadra secila.
Dy të parat kualifikohen drejtpërdrejt për në fazën tjetër, që është turi i shtuar i 32-shes. Rritja e numri të skuadrave të kualifikuara do të rrisë edhe koston financiare. Kështu. nëse Botërori i Rusisë në 2018-ën do të kushtojnë 3.54 miliardë euro, shprenzimet për atë që do të zhvillohet në 2026-ën, do të shkojnë në 3.95 miliardë euro. Skema e re e Botërorit 2026 rrit shpresën edhe të Kombëtares shqiptare për të qenë midis 48 skuadrave të kualifikuara për në fazën e grupeve.
Pas realizimit të ëndrrës në Euro 2016, kur Shqipëria për herë të parë ishte e pranishme në finalet e një evropiani, tashmë rriten shanset për të qenë edhe në finalet e një botërori.