AlbanianSport.com 10.01.2017 13:25
ASNN – Përfaqësuesja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në futboll për femra do të mësojnë së shpejti kundërshtaret në turin paraeliminator të Kampionatit Botëror të 2019-ës, pas shortit që do të hidhet më 19 janar 2017.
Kështu ka bërë të ditur organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, sa u përket 16 ekipeve me koeficient të ulët, në mesin e të cilave është edhe Shqipëria, por edhe Kosova, që merr pjesë për herë të parë në këto Eliminatore.
16 ekipet do të ndahen në 4 grupe me nga 4 ekipe secila. Në turin paraeliminator do të marrin pjesë Turqia, Izraeli, Greqia, Kazakistani, Estonia, Shqipëria, Ishujt Faroe, Moldavia, Malta, Mali i Zi, Gjeorgjia, Lituania, Letonia, Luksemburgu, Andorra e Kosova.
Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen mes 6 dhe 11 prillit 2017, ndërsa tutje kalojnë fituesit e grupeve dhe vendi i dytë më i mirë, në bazë të rezultateve me ekipin e parë dhe të tretë të grupit përkatës.
Pas turit pareliminator, 5 ekipet e kualifikuara do të përballen me 30 të tjerat në fazën e ardhshme.