AlbanianSport.com 10.01.2017 09:45
ASNN – Klubi i Tiranës doli me një deklaratë ditë më parë, ku sqaroi edhe mungesën e lojtarit nga Kosova, Argjend Mustafës, në fazën përgatitore. Sipas tyre lojtari ka pësuar të njëjtin dëmtim dhe për këtë mes palëve ka një klauzolë që thotë se nëse ndodh diçka e tillë, atëherë kontrata ndërpritet.
Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar menaxheri i mesfushorit, Urim Sejdiu, i cili për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Eskpres”, i ka hedhur poshtë pretendimet e Tiranës dhe ka deklaruar gjithashtu se klubi bardheblu i detyrohet Mustafës dhe se do t’i kërkojnë ato në gjyq.
“Situata nuk është ashtu si thotë klubi, pasi Mustafa e ka kaluar dëmtimin prej kohësh dhe është stërvitur me ekipin e parë, – ka thënë Sejdiu për median në fjalë. – Lojtari është në formë të mirë dhe dita-ditës po e kap formën optimale. Tirana u mundua të bëjë situatën të tillë sikur Argjendi ka pësuar të njëjtin dëmtim.”
“Është e vërtetë që kemi pasur klauzolë, që, nëse ka ripërsëritje të të njëjtit dëmtim, skuadra mundet ta ndërpresë kontratën, gjë që jemi të gatshëm ta vërtetojmë edhe me raporte mjekësore që ajo nuk është e vërtetë, – ka vijuar ai. – Gjithashtu klubi i detyrohet 4 paga Argjendit dhe ato do t’i kërkojmë përmes rrugës ligjore.”