Gjergj Vyshka 09.01.2017 08:50
Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Skive, të cilat do të zhvillohen të mërkurën në ora 11:00 në ambientet e Universitetit të Sporteve në Tiranë, duket se janë kthyer në çështjen e ditës për shumësportëshin shqiptar. Sepse dje në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Skive, Ilirjan Çule, me praninë dhe të kandidatit për president Shkëlqim Mema, ka pasur një denoncim për manipulim në atë çfarë deklarohet në kurrikulumin e kandidatëve për president dhe anëtar kryesie, të cilat vijnë si propozime nga shoqatat anëtare të Federatës Shqiptare të Skive.
Më saktë, gjithnjë sipas asaj që ka referuar dhe sekretari Çule, presidenti i shoqatës “Rrëshqitja në Natyrë”, Thoma Tasho, ka incizuar presidentin e shoqatës së Voskopojës, Andon Thatha, të cilin e ka pyetur se kë ka propozuar. “Nga Thatha, – thotë Çule, – kanë ardhur për kandidat për president emri i Shkëlqim Memës dhe për anëtar kryesie Agron Cuka. Problemi ka qenë plotësimi i CV-ve të kandidatëve, të cilët i plotësojmë këtu në vend, sepse anëtarët sjellin vetëm emrat e atyre që propozojnë si kandidat për president dhe anëtar kryesie dhe kjo bëhet në konfidencialitet.”
“Është procedurë, e cila ndiqet në çdo zgjedhje të Federatave Sportive, – ka vijuar ai. -Jemi munduar ta sqarojmë situatën dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.” Duket se komuniteti sportiv i të gjithë shumësportëshit vijon t’i kërkojë zgjidhjet e problemeve në vende të tjera e jo atje ku është “mejdani”, asambleja. Aq më tepër gjithnjë ka një statut Federate, që anëtarët e kanë firmosur dhe janë të detyruar për t’i zbatuar. E parë kështu zgjedhjet e skive po marrin si asnjëherë tjetër një rëndësi të madhe, ndërsa janë në garë tre kandidatë për president Shkëlqim Mema, Luan Basha dhe Marina Tasho.
E për anëtarë kryesie Agron Cuka, Paula Tasho, Sevair Dokle, Gëzim Laçi, Azem Haxhiu, Kliti Hoti, Genti Mali, Ardian Haxhihyseni dhe Ana Burda.