AlbanianSport.com 10.11.2014 13:25
ASNN – Besëlidhja nuk di të ndalet, teksa ka fituar dhe në Kavajë ndaj Besës vendëse dhe tashmë kryeson me meritë në Grupin e Veriut duke kërkuar ngjitjen në Superiore. Tifozët lezhjan jo vetëm që janë entuziazmuar për atë fitore të bukur në Kavajë, por ultrasit e Besëlidhjes, quajtur ndryshe “Dragonjtë e Veriut”, janë të sigurt se skuadra e tyre do të jetë një kategori më lart sezonin e ardhshëm. Ndërkohë nuk di të ndalet as Julian Malo, i cili tashmë është ngjitur në kuotën e katër golave duke kryesuar listën e golashënuesve të grupit të Veriut.
Duket se kështu po bëhet realitet objektivi i Besëlidhjes për në Superiore, por lufta nuk ka përfunduar, ndërsa nga pas do të jenë dhe Mamurrasi e Tërbuni. Për gazetat sportive të ditës, ndihmës-trajneri i Besëlidhjes, Lani, do të deklaronte: “Jemi shumë të gëzuar nga kjo fitore, ndërsa shumë shpejt jemi gjendur në vështirësi në Kavajë. Pësuam gol, por me kalimin e minutave skuadra jonë e mori veten dhe diti të dalë nga situata jo e mirë ku ishte. Shënuam dy gola dhe e fituam ndeshjen, ndërsa ia dedikojmë publikut këtë sukses.”
“Tifozët na shoqëruan në Kavajë, ndërsa falënderojmë dhe Bashkinë e Lezhës, e cila bëri të mundur mbërritjen e tyre në stadiumin e Besës. Jemi duke u përgatitur për ndeshjen e Kamzës, të cilën jemi të bindur se do ta fitojmë. Me Besëlidhjen kam dalë dy herë si lojtar në Kategorinë e Parë, por tani e dua dhe si ndihmëstrajner”, – ka përfunduar Lani.