AlbanianSport.com 09.01.2017 13:25
ASNN – Sikundër raportojnë mediat në Kosovë, Prishtina ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore në përgatitje për gjysmën pranverore të sezonit. Në stërvitjen e sotme janë të pranishëm vetëm 15 futbollistë, 6 prej tyre të ekipit të parë. Këto përgatitje po bëhen në fushën e mbyllur “Prince” në lagjen Arbëria, ndërsa është duke i udhëhequr ndihmëstrajneri Mentor Miftari.
“Skuadrës në fazën përgatitore, pas një jave pushim, më 16 janar 2017, do t’i bashkëngjiten edhe pjesa e futbollistëve që kanë marrë pjesë në turneun e futbollit të vogël në Gjermani, – ka konfirmuar dje klubi kryeqytetas. – Ndërkohë, të enjten, më 12 janar 2017, skuadrës i bashkëngjitet gjithashtu edhe drejtori sportiv i klubit, Lutz Lindeman.”
Prishtina e mbylli gjysmën e parë të sezonit në vendin e 3-të me 35 pikë, një më pak sesa Llapi, që mban vendin e dytë, dhe 4 më pak se kryesuesja, Trepça ’89. Gjysma pranverore e sezonit aktual në Superligën e Kosovës në futboll do të nis më 25 shkurt 2017.