AlbanianSport.com 09.01.2017 11:35
ASNN – Miqësorja e Kombëtares së femrave në futboll me Nën-19-vjeçaret e Italisë do të shërbejë si parapërgatitje për turin paraeleminator të Evropianit. “Meqenëse bëhet fjalë thjesht për një ndeshje miqësore me 19-vjeçaret e Italisë, kemi vendosur që t’u japim më shumë mundësi vajzave nga kampionati shqiptar dhe ai i Kosovës, – ka thënë trajneri i vajzave kuqezi.”
“Në këtë mënyrë shohim edhe gjendjen e tyre, – ka vijuar ai. – Edhe pse është një miqësore, kjo e ka qëllimin e vet, sepse na shërben për të parë gjendjen para zhvillimeve të turit paraeliminator në muajin prill. Në lidhje me ndonjë preferencë të mundshme në këtë raund nuk mund të them gjë, por shpresojmë të kemi fat. Detyra jonë është t’i bëjmë hyzmetin punës dhe të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz.”
Duhet thënë se kjo ndeshje do të luhet ditën e mërkurë në orën 14:00 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe hyrja do të jetë falas. Këtë gjë e ka pohuar vetë në prononcimin e tij për mediet, shefi i zyrës rajonale të FSHF-së në Elbasan, Ilirjan File, i cili gjatë këtyre ditëve ka qëndruar pranë ekipit kombëtar të femrave.