AlbanianSport.com 09.01.2017 09:45
ASNN – Sikundër ishte njoftuar nga klubi, skuadra e Tiranës është nisur drejt Turqisë për të zhvilluar fazën përgatitore në Antalia për pjesën e dytë të sezonit në Kategorinë Superiore. Megjithatë, jo të gjithë futbollistët janë grumbulluar nga stafi teknik i bardhebluve, pasi disa prej tyre po mendojnë për largimin.
Ky është rasti i Erion Vucajt, Ansi Nikës dhe Enriko Papës, të cilët janë në kërkim të një destinacioni të ri, duke qenë se nuk janë në planet e stafit teknik të bardhebluve për muajt e ardhshëm. Nuk është grumbulluar as Argjend Mustafa për shkak të pamundësisë së tij fizike.
Stafi mjekësor ka ndjekur ecurinë e dëmtimit të tij dhe ka kryer kontrollet e nevojshme që vërtetojnë se lojtari nuk mund të jetë i gatshëm. Kontrata e lidhur me të përcakton fundin e marrëveshjes nëse riaftësimi nuk do të arrihej në kohë. Është lënë jashtë edhe Gjergji Muzaka.
Por problemi i këtij futbollisti është i një natyre tjetër, pasi ai është në gjyq, një situatë që do të shqyrtohet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.