AlbanianSport.com 08.01.2017 18:00
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi për tifozët dhe mediat, Klubi i Futbollit “Tirana”, ka sqaruar çështjen e futbollistëve që nuk kanë udhëtuar me skuadrën drejt Antaljas për fazën përgatitore dimërore. “Erjon Vucaj, Ansi Nika dhe Enriko Papa kanë kërkuar largimin nga skuadra, për shkak se nuk kanë gjetur hapësira në formacion dhe kanë kërkuar zgjidhjen e kontratave”, – sqaron njoftimi i bardhebluve.
Kësisoj, klubi nuk i ka penguar, por ka lejuar largimin e tyre, duke qenë se nuk ishin në planet teknike për pjesën e dytë të sezonit. “Argjend Mustafa nuk është grumbulluar me skuadrën në Turqi dhe nuk është në plan gjithashtu për pjesën e dytë të sezonit për shkak të pamundësisë së tij fizike, – vijon njoftimi i Tiranës. – Stafi mjekësor ka ndjekur ecurinë e dëmtimit të tij.”
“Po kështu, janë kryer kontrollet e nevojshme që vërtetojnë se lojtari nuk mund të jetë i gatshëm, – vijon klubi bardheblu. – Kontrata e lidhur me të përcakton fundin e marrëveshjes, nëse rikuperimi nuk do të arrihej në kohë.” Ndërkohë, Tirana njofton se Gjergji Muzaka është lënë jashtë skuadrës për shkak të gjyqit të hapur prej tij në Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Situata e plote për këtë futbollist do të bëhet publike pasi të përfundojë gjyqi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve”, – përfundon njoftimi për tifozët dhe mediat i Klubit të Futbollit “Tirana”.