Gjergj Vyshka.net 08.01.2017 15:15
Flet Abdel Gjyzeli: “Kemi të gjitha shanset për të realizuar fitoren dhe për të kaluar në raundin e dytë në Ligën Ballkanike. Jam mirë tek Tirana dhe të gjitha duam vendin e parë në çdo veprimtari”
Një ndër lojtarët e së ardhmes për skuadrën e basketbollit të meshkujve të Tiranës, tashmë dhe pjesë e kombëtares së të rriturve, Abdel Gjyzeli, shpjegon atë që ndodh, ka ndodhur dhe do të ndodhë me skuadrën bardheblu.
Duke kërkuar titullin “kampion”, por dhe kalimin në turin e dytë të Ligës Ballkanike, përtej ofertave që i kanë ardhur nga skuadrat e kampionatit shqiptar, Abdel Gjyzeli ka vendosur të mos largohet nga Tirana.
Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa nesër, e dyta.
– Jemi në ditët e para të janarit në temperatura që kanë shkuar disa gradë nën zero edhe në kryeqytet. Si po e kalon Tirana me të ftohtin?
– Sigurisht që, me të ftohtin, është pak problem, jo vetëm për ne si sportistë, por për të gjithë qytetarët në mbarë vendin. Me këtë të ftohtë dihet sesa e vështirë është pjesa e nxemjes, jo vetëm në stërvitje, por dhe në lojë. Por duke qenë se “Fahrie Hoti” është një sallë sportive jo shumë e madhe, deri më sot kemi arritur që t’i zhvillojmë me intensitet stërvitjet tona, të cilat kanë nisur që në ditët e para të janarit. Dhe kjo është një plus i madh.
– Tirana fituese e Kupës së Shqipërisë, kryesuese e kampionatit dhe në prag të kalimit në turin e dytë të Ligës Ballkanike. A ishte maksimumi për këtë skuadër në këtë pjesë të parë të sezonit?
– Sa i përket pjesëmarrjes së ekipit në Ligën Ballkanike, do të thoja që e mira nuk ka fund. Mund të kishim bërë më mirë në dy ndeshjet e fundit të luajtura në fushën tonë ndaj MKK Feni Industries dhe Sutjeskës së Nikshiqit, por kemi dhe një shans të fundit në përballjen me maqedonasit e Karposh Sokolit në fushën tonë. Ekipi i ka të gjitha mundësitë për t’i realizuar synimet e veta, si kalimin në turin e dytë të Ligës Ballkanike, ashtu dhe fitimin e Superkupës dhe titullit “kampion”. Mendoj se deri më tani kemi bërë gjithçka mirë.
– Në një skuadër që ka shumë konkurrencë, pjesë e së cilës tashmë janë dhe dy amerikanët Rame dhe Xhonson, sa e vështirë është për të depërtuar për të qenë titullar?
– Sa më shumë konkurrencë të ketë ekipi aq më mirë është. Sepse të bën të japësh maksimumin në çdo moment. Dhe si rrjedhojë është mundësi e mirë pasi rritesh profesionalisht si lojtar, por mbi të gjitha dhe si skuadër. E vërteta është se ne të gjithë ndihemi një për të mirën e Tiranës.
– Duke u kthyer përsëri tek Tirana, e keni nisur sezonin me Petrovskin dhe vazhdoni me Milatoviçin, çfarë ka ndryshuar në skuadër?
– Çdo trajner ka mënyrën e vet të të punuarit dhe taktikat e veta të lojës. Kështu ka ndodhur dhe me ardhjen e Milatoviçit në krye të ekipit tonë. Po punojmë fort që të jemi sa më të përpiktë në ato çfarë ai kërkon në fushën e lojës, për të qenë ne të suksesshëm.
Vijon nesër…