AlbanianSport.com 07.01.2017 20:45
ASNN – Për sa kohë Kosova nuk u ofron kushte për zhvillim futbollistëve të rinj, përfaqësuesja kosovare vështirë se do të fillojë të furnizohet me lojtarë cilësorë nga përfaqësueset e shpresave në një të ardhme të afërt. Ky paralajmërim ka ardhur edhe nga vetë përzgjedhësi i përfaqësueses së Nën-17-vjeçarëve të Kosovës, Besnik Kollari, i cili e zhvilloi një kamp stërvitor për 4 ditë rresht në Durrës, para pjesëmarrjes në turneun ndërkombëtar “Mercedes Benz Aegean Cup”, në të cilin përpos Kosovës dhe vendit mikpritës, Turqisë, do të marrin pjesë edhe Rumania e Kazakistani.
“Mendoj se do të jetë shumë vështirë, pasi jemi shtet i posapranuar në UEFA e FIFA, pastaj dihen kushtet e futbollistëve tanë në Kosovë që nuk i kanë kushtet aspak për punë, – ka thënë ai për faqen zyrtare në Internet të Federatës së Futbollit të Kosovës. – Trajnerët e tyre nuk kanë mundësi të stërvitin më shumë sepse dihet se punojnë në hapësira të ngushta në terrene të mbuluara. Edhe këtu kemi parë shumë vështirësi tek futbollistët, por kemi punuar mirë dhe jemi munduar që sado kudo t’i minimizojmë ato dobësi të cilat janë evidente në futbollin e Kosovës për shkak të kushteve.
Sidoqoftë, Kollari ka shprehur përkushtimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve për ta ndërtuar një ekip të fortë të grupmoshës së Nën-17-vjeçarëve për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të cilat po afrohen, e po ashtu për t’i furnizuar pastaj me lojtarë cilësorë përfaqësuesen e Nën-19-vjeçarëve, të Nën-21-vjeçarëve, si dhe përfaqësuesen e të rriturve të Kosovës. “Sidoqoftë, nuk duhet të fantazojmë apo të jemi shumë ambiciozë, por duhet të jemi realistë dhe të punojmë në mënyrë që ta nxjerrim maksimumin prej këtyre djelmoshave”, – ka thënë trajneri.
“Sepse nuk kemi shkop magjik dhe ta ndryshojmë situatën, – ka vijuar Kollari. – Ne jemi duke e bërë punën tonë duke seleksionuar sa më shumë futbollistë dhe besoj se do ta krijojmë grupin më të mirë të mundshëm.” Kosova nuk ka asnjë stadium kombëtar apo që i përmbush kriteret minimale për ndeshje ndërkombëtare. Por, edhe më shqetësues është fakti se ka mungesë të madhe edhe të fushave dhe kushteve tjera për stërvitje. Madje, Prishtina është kryeqytet me numrin më të madh të banorëve, por ende nuk ka një fushë për t’u stërvitur, jo vetëm futbollistët e rinj, por as ata të klubeve të mëdha.