AlbanianSport.com 07.01.2017 13:25
ASNN – Siç dihet, përfaqësuesja e Kosovës në futboll, në ditët e fundit të muajit mars, pritet t’i zhvillojë dy ndeshje, një në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Rusi 2018” dhe një tjetër miqësore.
Më 24 mars 2017, Kosova do të luajë si vendase përballë përfaqësueses së Islandës, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”. Menjëherë pas ndeshjes që i takon Grupit I, Kosova pritet të luajë një miqësore.
Një miqësore për të cilën, siç raportojnë mediat e Prishtinës, Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar kërkimet.
Në këtë miqësore Kosova do të jetë mysafire, kurse për të siguruar kundërshtarin, FFK-ja ka kërkuar ndihmën e kompanisë së veshmbathjeve sportive “Kelme”.
Kjo kompani spanjolle është furnizuese e përfaqësueses së Kosovës me fanella. Mbetet për t’u parë sa e ka potencialin kjo kompani për të gjetur një kundërshtar serioz.