Gjergj Vyshka 07.01.2017 12:30
Trajneri i Tiranës në basketboll për femra, Roland Avrami: “Pavarësisht se është në vendin e 3-të në renditje, Flamurtari është me petkun e titullit “kampion” dhe “play-off”-it mund të përmbysë shumë gjëra”. Tetë ndeshje në kampionat, 8 fitore dhe Tirana është skuadra kryesuese e basketbollit të femrave për pjesën e parë të sezonit.
Por dhe pse ndodh kështu, ndërsa bardheblutë janë rreshtuar në krah të Goga Basket dhe Flamurtarit përsa i përket lojtareve të huaja, Avrami përsëri mendon se ka probleme. Në fakt që në javën e parë të kampionatit është ndeshur me të tilla gjëra, të cilat i vuajti në Kupën e Shqipërisë.
Ardhja me vonesë e malazezëve Popoviç dhe Jankoviç, apo largimi i një pjese të basketbollisteve në ekipin kombëtar për ndeshjet ndaj Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe, duket se e privuan këtë skuadër nga ky trofe. E pranon që ka një dublim të pozicioneve me ardhjen e malazezëve.
Por ka ende një pikë të paplotësuar që e bën të mendojë dhe të thotë se nuk është absolut për titull. Quan vlerë të shtuar për kampionatin ardhjen e të huajave, ndërsa vlerëson si kundërshtarin e sprovuar për titull kampion Flamurtarin. Ja dhe intervista e trajnerit të Tiranës në basketboll për femra, Roland Avrami, për gazetën “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua solli në dy pjesë dhe dje ishte pjesa e parë, ndërsa sot, e dyta.
…vijon nga dje
– Ju me dy malazeze, Goga Basket me një boshnjake e një amerikane, Flamurtari me një malazeze e një serbe. Këto lojtare të huaj në masë e ndihmojnë kampionatin të rritet cilësisht?
– Kjo është e sigurt, sepse vijnë nga kampionate që në cilësi janë më lart se sa ne. Dhe në këto kushte i japin më tepër bukuri garës, sepse nuk janë vetëm Tirana, Goga Basket dhe Flamurtari, por dhe skuadrat e tjera që mundohen të bëjnë interesante garën e kampionatit. Kemi nevojë për lojtare të huaj për të rritur kampionatin e për ta bërë atë më të fortë.
– Kë mendoni si kundërshtarin më të vështirë, Goga Basket apo Flamurtarin?
– Pavarsisht se është në vendin e 3-të për momentin, Flamurtari është me petkun e kampionit për disa vite në këtë sezon. Si e tillë duhet konsideruar si një kundërshtar i vështirë, pasi është jo vetëm faza e dytë përpara, por dhe “play-off”-i. E si të thuash është ekip që ka një përvojë në marrjen e trofeve. E megjithatë, Tirana do t’i kundërpërgjigjet të dyja kundërshtarëve denjësisht sikurse ka bërë deri më tani.
– Së fundi, çfarë i duhet Tiranës për të qenë “kampion”?
– Edhe pse i kemi të gjitha rolet të dubluara në skuadër, kemi një pikë që është vendimtare për një skuadër basketbolli, të cilën ende nuk e kemi rregulluar. Një lojtare në atë pozicion e kemi të dëmtuar, një tjetër është vajzë e re. Nëse do ta kishim dhe atë, që për momentin nuk po e them se ku çalon Tirana, atëherë do të ishim një hap përpara kundërshtarëve dhe do të mund të thonim që jemi të denjë për titull. Por do t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund kësaj gare.