Gjergj Vyshka 07.01.2017 08:50
Federata e radhës e sporteve që do të hyjë në procesin e zgjedhjeve është ajo e Xhudos. Kështu ka pohuar për “Sport Ekspres”, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo. Sipas kryekzekutivit të kësaj federate, asambleja zgjedhore do të zhvillohet në datën 28 janar 2017.
Gjithçka do të kryhet në mjediset e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, apo ndryshe në ish-kompleksin sportiv “Dinamo”. Gjithnjë sipas informacionit të Çapos, Muhamet Harizi do të jetë përsëri në rikandidim për president, ndërsa nuk duket se do të ketë kandidat tjetër.
Ndonëse pritet që klubet dhe shoqatat anëtare të kësaj Federate të zbatojnë me përpikëri afatet e kërkuara për zyrtarizimin e kandidatëve për president dhe anëtarë të kryesisë. E në të tilla kushte, xhudo është Federata e 5-të shumësportëshe, e cila pas notit, shahut, taekuondosë (World) dhe skive zhvillon zgjedhjet në kryeqytet.
Ndërkohë që basketbolli, atletika, peshëngritja, alpinizmi dhe pingpongu kanë preferuar të jenë larg Tiranës dhe ndoshta e syve mediatike. Gjithsesi tashmë xhudo është gati për procesin zgjedhor më 28 janar 2017, me të vetmin kandidat për president Muhamet Harizi.