Gjergj Vyshka 06.01.2017 11:55
Suela Mëhilli nuk ka pushuar në këtë fillimviti, por më 3 dhe 4 janar ka qenë e pranishme në dy gara në Pontresina të Zvicrës. Ka konkurruar në disiplinën e Sllallomit, ndërsa në të parën ka zënë vendin e 43-të, kurse në të dytën vendin e 28-të.
Në garën e parë, atje ku është renditur e 43-ta mes 73 pjesëmarrësve, vetëm 45 skiatore e kanë përfunduar garën, Mëhilli ka fiksuar në rrëshqitjen e parë kohën 53”90 dhe, në të dytën, atë 48”11 e në total 1’42”01.
Një ditë më vonë, në po të njëjtin vend, mes gati 80 pjesëmarrësve ka zënë vendin e 28-të, teksa në rrëshqitjen e parë ka fiksuar kohën 49”38, kurse në të dytën 56”04 e në total e ka mbyllur garën me kohën 1’45”42.
Kështu Mëhilli vijon garat, ndërsa dy pretendentët e tjerë për t’u kualifikuar për në Olimpiadën Dimërore të 2018-ës, Erjon Tola e Marsel Biçoku, që nga 22 dhjetori 2016, nuk janë parë më në pistën e skive.