AlbanianSport.com 05.01.2017 19:35
ASNN – Po kthehet në një telenovelë, nga ato tipiket për merkaton e janarit. Largimi i Rei Manajt nga skuadra e Peskarës duket i qartë, por destinacioni i ardhshëm i tij duket mjaft i mjegullt. Ai po stërvitet me abrucezët për momentin, por do të kthehet tek Interi, për t’u huazuar sërish.
Sipas faqes së specializuar italiane në Internet, “Calciomercato.com”, për sulmuesin e Kombëtares interesohet edhe Peruxhia, ku luan edhe një shqiptar, portieri Entonio Elezaj. Skuadra nga Umbria po përpiqet të kthehet në Serinë A, pas një mungese të gjatë dhe fazën e parë të kampionatit e mbylli në zonën e “play-off”-it në Serinë B.
Rei Manaj shikohet si një ndihmë më shumë për të arritur objektivin. 19-vjeçari është një synim edhe i Las Palmasit, ekip i Primera Ligës në Spanjë. Edhe pse shënoi 2 gola gjatë fazës së parë me abrucezët, Manaj nuk e bindi trajnerin Masimo Odo, me të cilin pati edhe probleme personale.
Manaj nuk gjeti hapësirë as tek Interi sezonin e kaluar edhe pse pati besimin e trajnerit Roberto Mançini.