ASNN – Në bisedë e sipër me gazetarët, trajneri Armando Cungu ka lënë të kuptohet se Arsen Hajdari është pranë firmës me Vllazninë. “Patjetër që Hajdari është një lojtar, i cili tashmë njihet prej opinionit sportiv jo vetëm shkodran, – ka thënë ai. – Një lojtar i cili ka kontribuar edhe në sezonet e kaluara për Vllazninë, me shumë rezultat madje.”
“Në këto kushte është ofruar tek Vllaznia, që normalisht i ka hapur dyert për t’i dhënë një mundësi dhe jam i bindur që me vlerat që ka si sportist mund të na ndihmojnë në vazhdimësi ekipin tonë, – ka vijuar trajneri i kuqebluve të veriut. – Duhet të firmosin, kështu të paktën kanë qenë bisedimet me administratorin e klubit.”
“Është stërvitur në muajin dhjetor me ekipin “B” të Vllaznisë dhe tashmë po i japim mundësitë për t’u ofruar tek ekipi i parë. Uroj dhe shpresoj që të japin më të mirën, jo vetëm për veten, por edhe për Vllazninë”, – ka përfunduar trajneri i shkodranëve, Armando Cungu.