Gjergj Vyshka 05.01.2017 08:45
“FIBA Europe Cup” në basketboll për meshkuj ka rikthyer në parket gjyqtarin ndërkombëtar Gentian Cici. Pikërisht dje në mbrëmje, Cici ka qenë gjyqtar i parë në ndeshjen e grupit O, Pau-Lak Ortez-Alba Fehervar, 89-63 (19-22, 24-12, 27-13, 19-16).
Me Cicin, i cili është për herë të dytë në këtë sezon në këtë veprimtari të koshit kontinental, kanë qenë edhe zvicerani Sebastian Klivaz dhe kroati Nikola Perliç, kurse vëzhgues i tyre ishte holandezi Lukas Hubertus Vergosen.
Në total janë 14 ndeshje ndërkombëtare për Cicin, 9 në Ligën e Kampioneve, 4 në “FIBA Europe Cup” dhe një në Euroligën e femrave. Dhe kjo është vlerë e shtuar për të dhe basketbollin shqiptar.