AlbanianSport.com 04.01.2017 20:05
ASNN – Ai e njeh mirë sulmuesin kuqezi dhe, për këtë arsye, e sheh atë si një përforcim të vlefshëm për skuadrën e tij të re. Armando Sadiku pranoi për mediat zvicerane se Lugano është e interesuar ta afrojë.
Në këtë ekip trajner është Paolo Tramexani, ish-ndihmësi deri ditët e fundit, i Xhovani De Biazit në Kombëtaren kuqezi. Sipas mediave helvete, palët po bisedojnë, por sulmuesi nuk ka preferuar të shtojë asgjë.
Armando Sadiku është aktivizuar me Luganon në të kaluarën ku ishte në ligën e dytë. Futbollisti i Kombëtares është pjesë e FC Zyrihut këtë sezon, por pëlqehet nga ekipe brenda dhe jashtë Zvicrës.
Skuadra e tij aktuale mund të përfitojë vetëm nëse e transferon gjatë janarit, pasi në verë Sadiku largohet me parametër zero. “Di që palët janë duke negociuar”, – ka shpjeguar Sadiku.
“Agjenti im po shqyrton situatën dhe presim ende se çfarë do të ndodhë, – ka vijuar ai. – Për momentin preferoj të mos flas, pasi duhet t’i lëmë vend zhvillimeve. Për Tramexanin, nuk mund të flas veçse mirë.”
Në fakt, Sadiku mund të flasë vetëm mirë, pasi De Biazi dhe ndihmësi i tij kanë kryer një punë të pabesueshme me Shqipërinë. “Jo vetëm unë, por edhe shokët e mi të kombëtares nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse ta falënderojmë”, – ka thënë Sadiku.
“Falë tyre kemi hyrë në histori, ndërsa Paolo është një trajner me shumë energji, si dhe me dëshirë të madhe për të treguar vlerat e tij, – ka vijuar sulmuesi. – Tashmë tek Lugano gjërat kanë ndryshuar, duke parë se skuadra po lufton për mbijetesë.”