Përshtatur nga “Koha Ditore” 04.01.2017 17:20
… vijon nga dje
“Realisht është shpërblyer një drejtësi paksa e vonuar, pasi nuk janë pak 25 vjet në “geto””, – pati shtuar Ademi. Pranimi i Kosovës në FIFA, i ka hapur rrugën asaj që të marrë pjesë në Eliminatoret e Botërorit “Rusia 2018”. Ajo i zhvilloi ndeshjet e para në kuadër të Grupit I, ku janë Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda. Ndeshjen e parë debutuese, më 5 shtator 2016, Kosova e luajti me Finlandën, duke u ndarë me një rezultat të barabartë 1-1, nga i cili përfitoi një pikë. Më 7 tetor 2016, përfaqësuesja e Kosovës u takua me Kroacinë, më 9 tetor me Ukrainën dhe më 12 nëntor, me Turqinë.
Të tri këto takime, Kosova i mbylli me humbje. Megjithatë, fushata eliminatore do të vazhdojnë edhe më tej. Në anën tjetër, sportistët e Kosovës, në vitin 2016, kanë shënuar pjesëmarrjen e parë në Olimpiadë. Në Lojërat Olimpike Verore, të cilat nisën më 5 gusht në Rio de Zhaneiro të Brazilit, Kosova u përfaqësua me 8 sportistë. Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, e pati cilësuar pjesëmarrjen e këtyre sportistëve në olimpiadën “Rio 2016”, si realizim, së pari, të ëndrrës së vetë sportistëve.
“Padyshim që pjesëmarrja në këto lojëra olimpike, pjesëmarrja në një olimpiadë, është ëndrra e kamotshme e sportistëve të Kosovës, – pati deklaruar ai. – Tanimë, në këto Lojëra Olimpike, historike për ne, unë jam shumë i bindur që para 3 miliardë njerëzve pritet t’i ndjekin ato, e tërë bota do t’i shohë sportistët tanë. Përmes sportistëve, do t’i shohin të gjithë shqiptarët e Kosovës.” Nga Olimpiada “Rio 2016”, xhudistja Majlinda Kelmendi i solli medaljen e parë të artë olimpike Kosovës, të cilën e fitoi më 7 gusht 2016. Ky moment u cilësua si historik për sportin e Kosovës.
Xhudistja Kelmendi, e kishte përshkruar me mjaft emocione fitoren e saj. “I jemi gëzuar aq shumë kësaj medaljeje. Nuk ka para që mund të më bëj të ndihem ashtu siç po ndihem me këtë medalje dhe siç po ndihem me këtë sukses”, – kishte thënë xhudistja pejane pas triumfit në finalen olimpike. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Kujtim Shala, në takimin e organizuar për xhudisten Kelmendi dhe olimpistët e tjerë, kishte uruar që suksesi i Majlindës të jetë vetëm “uverturë” në rrugën e sukseseve të ardhshme të sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Unë besoj që ky është fillimi i rezultateve të mëdha të kësaj natyre në skenën ndërkombëtare, botërore, dhe ne presim edhe rezultate tjera”, – pati deklaruar Shala. Aktualisht, Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat vendorë të sportit, janë duke bërë përpjekje, përfshirë edhe investimet financiare, që të përmirësojnë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e sporteve, sipas kritereve që kërkohen nga mekanizmat sportivë ndërkombëtarë.