AlbanianSport.com 04.01.2017 11:50
ASNN – Natyrisht që është një përballje historike, sepse kurrë më parë Shqipëria nuk është ndeshur me Italinë në kuadër të Eliminatoreve të një veprimtarie madhore futbollistike në nivelin e të rriturve. E si e tillë, i ka hapur rrugën një bashkëpunimi edhe më të madh midis dy federateve që i ndan Adriatiku.
Italia është kundërshtari i radhës i Kombëtares shqiptare të futbollit, një sfidë që do të zhvillohet më 24 mars. Por, teksa duhen afro 3 muaj nga kjo përballje historike, të dy federatat kanë rënë dakord për të zhvilluar një takim miqësor në futboll për femra, mes Kombëtares së të rriturave të ë Shqipërisë me përfaqësuesen e 19-vjeçareve të Italisë.
Ky takim, i cili do të luhet më 11 janar 2017, duke nisur nga ora 14:00, në Stadiumin “Elbasan Arena”. Kështu, vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Armir Grima dhe ndihmësi i tij, Viorensin Sinanin do të shërbejnë si një test për skuadrën italiane, që nga data 5, deri më 10 prill 2017, do të marrë pjesë në fazën Elitë të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe.
Federata Italiane e Futbollit njoftoi se skuadra “e kaltër” e femrave do të nisë grumbullimin në Romë më 8 janar 2017, për të udhëtuar drejt Shqipërisë në datën 10. Ndërkohë, kjo ndeshje është konfirmuar edhe nga ana e Federatës Shqiptare e Futbollit me anë të një deklarate në faqen e saj në internet.