AlbanianSport.com 04.01.2017 10:00
ASNN – Barazimi me Turqinë i ka dhënë zemër Kosovës para dy përballjeve me Estoninë. Kështu ka thënë të martën hendbollisti Kastriot Jupa. Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll për meshkuj, e pret Estoninë të mërkurën, në takimin që nis në ora 19:30 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, në kuadër të fazës së parë eliminatore për Evropianin e 2020-ës”.
Kosova do të përballet me Estoninë edhe të dielën në qytetin estonez, Polva, për t’i dhënë fund fazës së parë të Eliminatoreve të “Euro 2020”. Të përzgjedhurit e trajnerit Taip Ramadani i kanë luajtur tashmë dy ndeshje në kuadër të Grupit B. Më 2 nëntor të vitit të kaluar në Ankara, Kosova pësoi nga Turqia me shifrat 22-26, ndërsa më 6 nëntor 2016, barazoi 24-24 në Prishtinë po me Turqinë.
Ishte kjo pika e parë e Kosovës në kualifikime, pasi në dy ciklet e kaluara kishte regjistruar vetëm humbje. Tani Kosova synon fitoren e parë.