AlbanianSport.com 03.01.2017 18:30
ASNN – Kryesuesja aktuale e Kategorisë Superiore dhe “kampionia” simbolike e dimrit për të dytën herë në histori, Kukësi, është dhe skuadra e parë që ka rifilluar seancat stërvitore në prag të fazës përgatitore, që do të zhvillojë duke nisur nga data 5 janar, në Antalia të Turqisë.
Edhe pse pa asnjë humbje dhe me 5 pikë më shumë se një vit më parë pas dy fazash, trajneri Ernest Gjoka po mendon sesi mund ta mbyllë të gjithë kampionatin në krye dhe për këtë ka filluar të mendojë për përforcimet. “Çdo skuadër ka nevojë për ndryshime”, – ka thënë ai.
“Ne kërkojmë cilësi, pasi lojtarët nuk na mungojnë, – ka vijuar trajneri i verilindorëve. – Ne kemi pasur një problem në mbrojtje dhe jemi munduar ta zgjedhim me një lojtar premtues, siç është Rrumbullaku. E shumta kemi nevojë për dy lojtarë, një mesfushor dhe një mesfushor me tipare sulmuese.”
Dikur një ekip i njohur për mundjen, sot Kukësi, edhe për nga korrektesa financiare, është ndër më të lakmuarat si skuadër. “Është një ekip që kërkon të jetë gjatë gjithë kohës në majën e futbollit shqiptar dhe në derën e Kukësit tashmë trokitet fort”, – pohon Gjoka.
Sidoqoftë, për mbylljen e dy fazave të para pa asnjë humbje janë të shumtë ata që mendojnë se, për këtë, veç cilësisë së grupit apo aftësisë së trajnerit, një kontribut kanë dhënë edhe gjyqtarët. “Unë mendoj që ne, edhe jemi penalizuar, edhe jemi parë me dashuri nga gjyqtarët”, – ka thënë ai.
“Por, nuk ka ndodhur ndonjëherë që një skuadër të shpallet “kampione” falë gjyqtarëve”, – ka përsëritur Gjoka. Skuadra e Kukësit do të fillojë një fazë përgatitore prej rreth 12 ditësh në Antalia të Turqisë, duke evituar temperaturat e ulëta në Shqipëri, për të rikuperuar energjitë për dy fazat e mbetura të kampionatit, që fillon më 21 janar 2017.