AlbanianSport.com 03.01.2017 14:10
ASNN – Ashtu siç pritej, Ilir Daja do të prezantohet zyrtarisht mesditën e së mërkurës si trajneri i ri i Skënderbeut. Klubi korçar njoftoi gjithashtu zgjidhjen e kontratës me Andrea Agostinelin.
Rezultatet në drejtimin e italianit nuk bindën, pasi ekipi e mbylli fazën e dytë të kampionatit në vendin e tretë. Ilir Daja, i cili në fillim të këtij sezoni ishte trajner i Tiranës do të udhëheqë Skënderbeun drejt qëllimit kryesor, titullin “kampion”.
Kreu i renditjes, ku aktualisht ndodhet Kukësi, është 4 pikë larg. Kampionët e Shqipërisë në fuqi do të grumbullohen të mërkurën në Durrës dhe, që nga 6 janari 2017, do të nisin në Antalia fazën përgatitore.
Stafi teknik do të vëzhgojnë gjendjen e lojtarëve duke zhvilluar 3 miqësore. Dy prej skuadrave janë nga Azerbajxhani, Karabagu i Ansi Agollit dhe Sumçajiti. Seria e ndeshjeve testuese do të nisë me skuadrën vendase të Bursasporit.