AlbanianSport.com 01.01.2017 16:20
ASNN – Zakonisht, kur nuk ke stofin, por paratë, me këto të fundit synon të blesh atë të parin. Kështu po ndodh Kina po çmendet për futbollistët e kampionateve evropiane. Këtë radhë është skuadra e Tianxhin Quanxhianit, e cila sapo është ngjitur në Superligën kineze nga kategoria e dytë, e cila po përgatit miliona euro për dy futbollistë nga Premier Liga Angleze.
Sipas të përditshmes britanikes “The Sun”, ekipi që tashmë drejtohet nga italiani Fabio Kanavaro, do të përpiqet t’i mbushë mendjen me një shumë marramendëse Çellsit për të lëshuar Diego Kosta. Një muaj më parë kinezët kishin ofruar 60 milionë për futbollistin, por oferta u refuzua.
Klubi në fjalë mbështetet financiarisht nga një kompani e fuqishme farmaceutike. Ardhja e pronarëve të rinj solli një ndryshim rrënjësor në ekip, duke shpenzuar një vit më parë 40 milionë euro në merkaton e dimrit. Nga ana tjetër, edhe Aleksis Sançez kërkohet nga klubi i Hebei Çajna Forçun.
Ky klub po kërkon të joshë lojtarin me një pagë prej 28 milionë eurosh në vit, më shumë se gjysmë milioni në javë. I njëjti klub ka guxuar t’i bëjë më herët një ofertë multimilionëshe edhe trajnerit Arsene Venger. Milionat e kinezëve nuk mungojnë, por, po ashtu edhe rregullat e forta që po vendos federata vendase.
Përkundër përmbytjes nga lojtarët e huaj, organizmi që qeveris futbollin në vend po shqyrton mundësinë që të ndryshojë rregulli i 5 futbollistëve të huaj në fushë. Për të mbrojtur edhe promovuar lojtarët kinezë, pritet që rregulli i ri të zbresë në 3, numrin e të huajve gjatë një ndeshjeje futbolli.