AlbanianSport.com 09.11.2014 18:20
ASNN – Kuqezinjtë e ringut, si asnjëherë më parë, kanë arritur të marrin 3 medalje të arta dhe 1 të argjendtë në një prej eventeve më të rëndësishëm të rajonit. Kështu kjo është hera e parë që Shqipëria arrin që të fitojë “Gongun” pas 22 viteve. Trajneri i kombëtares, Skënder Kurti, e cilësoi si historike këtë performancë të shkëlqyer të kuqezinjve.
Entuziast u shpreh edhe trajneri Zef Gjoni. “Jam vërtet shumë i lumtur, – ka deklaruar ai. – Kemi arritur rezultate shumë të mira. Është historike që ne të fitojnë Gongun. Këtë gjë e bëri Kristian Demaj. Po ashtu mori edhe medaljen e artë bashkë me dy boksierët e tjerë të kombëtares.”
“Natyrisht që këto rezultate tregojnë nivelin e lartë të boksit shqiptar, – ka vijuar shkodrani i boksit. – Patjetër që na bën të ndihemi krenarë për këtë sukses të madh që kemi arritur, si dhe na shton përgjegjësitë që edhe në të ardhmen të kemi të tilla rezultate.”
“Kemi punuar shumë për këtë aktivitet dhe ia arritëm qëllimit. Premtojmë se edhe në aktivitete të tjera të rëndësishme do të synojmë që të arrijmë të tilla nivele”, – ka përfunduar trajneri i kombëtares. Në rang ekipor Shqipëria u rendit pas Bullgarisë.