AlbanianSport.com 31.12.2016 11:10
ASNN – Anëtarësimi i Kosovës në dy organizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë të futbollit, UEFA dhe FIFA, ka nisur t’i japë futbollit të Kosovës “ushqimin” që i ka munguar në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit mbijetesë. Dhe ndërkohë që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të përfitojë para të majme nga donacionet që do t’i marrë prej këtyre dy organizatave dhe përmes formave të ndryshme nëpërmjet përfaqësueses së Kosovës, para tashmë nga jashtë kanë nisur të marrin edhe klubet kosovare.
Edhe këto të fundit tani e tutje do të marrin para përmes formave të ndryshme, shkruan e përditshmja e Prishtinës, “Zëri”. Për shembull, Besa po pret që t’i vijnë nga Rusia rreth 125 mijë euro. Këtë shumë parash, pejanët pritet ta fitojnë falë Bernard Berishës, i cili nga Anzhi u transferua në Terek Groznji. Për këtë transferim tek klubi çeçen, pritet t’i paguajë Anzhit rreth 2.5 milionë euro. Sipas Rregullores së FIFA-s, prej çdo transferimi të një futbollisti, klubit “amë” të tij do t’i takojnë 5 % e shumës së transferimit.
Për Besën kjo do të jetë hera e dytë që do të fitojë para nga ish-ylli i saj, Bernard Berisha, i cili ishte zhvilluar si lojtar në Pejë dhe pastaj pati luajtur tek Besa e Kavajës, pastaj tek Skënderbeu dhe, së fundmi, tek Anzhi. “Kur Berisha ka shkuar nga Skënderbeu në Anzhi, klubi rus na pati paguar rreth 3-4 mijë euro, – tha për “Zërin” kryetari i klubit kuqebardhë, Shemsedin Muhaxheri. – Ne e kemi pasur një avokat malazez që merret me këto punë.”
“Sigurisht se do ta angazhojmë për të na kryer punën edhe për këtë transferimin e fundit të Berishës, – ka vijuar ai. – Ne jemi anëtarë të UEFA-s dhe të FIFA-s dhe rregullat vlejnë për të gjithë njësoj. Kështu që normalisht që presim t’i marrim paratë, të cilat na takojnë edhe nga ky transferim, sepse Besa është klubi amë i Bernardit.” Berisha është futbollisti i dytë prej të cilit përfiton para klubi pejan. Besa pati përfituar edhe nga Fatos Beqiraj, kur sulmuesi i njohur nga Dinamo e Zagrebit kishte kaluar në klubin kinez, Çengçan Jatai. “Nga transferimi i Fatos Beqirajt në Kinë prej Dinamos së Zagrebit i kemi pas fituar rreth 7 mijë euro”, – sqaroi Muhaxheri për të përditshmen në fjalë. – Por, Besa nuk ka marrë para prej dy transferimeve tjera të Beqirajt nga klubi kinez në Dinamo Minsk dhe prej këtij të fundit në Dinamo të Moskës.”