Gjergj Vyshka 09.11.2014 17:35
“Nuk është vetëm një aspekt që kushtëzoi humbjen tonë sot, – ka deklaruar trajneri i Shkumbinit, Ilir Gjyla, pas ndeshjes së humbur me Dinamon. – Janë shumë, sepse ne kemi pasur pesë mungesa në formacion, teksa tre ishin të skualifikuar dhe dy të dëmtuar. Mos harroni që jemi të detyruar të adaptojmë lojtarë në pozicione të ndryshme të tillë si Dervishi nga sulmuesi në qendër të mbrojtjes, apo dhe Lluca mbrapa në mesfushë.”
“Jo vetëm kaq, por një pjesë e lojtarëve nuk kanë as kondicionin e duhur fizik për të përballuar një ndeshje të plotë, ndërsa një pjesë e mirë kanë ecur në fushë në 45 minutat e dyta, – ka vijuar ai. – Unë nuk kam ndërmend të merrem me gjyqtarët. Megjithatë këta janë të gjithë me atë shprehjen: “Do kalosh nga rruga ime”. Pra edhe sot, Cjapi që është gjyqtarë jo më i ri, por me eksperiencë, ka ndikuar në një farë mënyre.”
“Sepse të gjithë gjykojnë me 5-përqindëshin për skuadrën vendëse. Kështu na ka ndodhur në Pogradec, në Lushnjë dhe tani ndaj Dinamos. Nga pozicioni ku isha goli i tyre i parë ishte jashtë loje. Nuk është se Dinamo dominoi lojën, por me goditje standard na goditi, apo përfitoi dhe nga gabimet tona në mbrojtje. Pikërisht atëherë kur ne prisnim të barazonim u goditëm nga gabimet tona në mbrojtje”, – ka përfunduar trajneri i Shkumbinit, Ilir Gjyla.