AlbanianSport.com 30.12.2016 18:55
ASNN – Në fakt, nuk është edhe aq “një rrufe në qiell të pastër”, sepse qielli ka kohë që është mbushur me re të ngarkuara dhe të përhimta, që nuk paralajmërojnë tjetër përveçse stuhi. Për këtë arsye, Andrea Agostineli pritet të mos vijojë më me Skënderbeun. Rezultatet nën drejtimin e tij nuk kanë bindur edhe pse ekipi është ende në garë për titullin “kampion”.
Italiani është ende me pushime dhe nuk ka biseduar me drejtuesit e klubit korçar. Por mediat shqiptare raportojnë se ai mund të përballet me një surprizë të pakëndshme në këto ditë festive të ndërrimit të viteve. Situata duhet të zgjidhet brenda pak ditësh, pasi ekipi do të nisë më 6 janar fazën përgatitore në Turqi, në Antalia, ku do të zhvillojë edhe disa miqësore.
Pozitat e Andrea Agostinelit u lëkundën edhe në nëntor, por asokohe u vendos që atij t’i jepej edhe më shumë kohë. Skënderbeu është i treti në renditjen e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pas 2 fazave të para dhe në 18 ndeshje ka fituar vetëm gjysmat. 9, barazuar 5 dhe humbur 4. Por disfatat e fundit kanë qenë të rënda, sepse erdhën me rivalë direkt për titullin, si Kukësi dhe Partizani.
Skënderbeu është 6 vite radhazi kampion i Shqipërisë dhe ky objektiv mbetet edhe këtë sezon. Ekipi korçar është në garë edhe në Kupën e Shqipërisë dhe në çerekfinale do të luajë me Laçin. Me pak fjalë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim sesi do të jetë fati i trajnerit italian, ndërkohë që midis emrave që janë të lirë në merkaton e trajnerëve spikat ai i një “ish”-i si Shpëtim Duro apo Shkëlqim Muça.