AlbanianSport.com 30.12.2016 14:20
ASNN – Anëtarësimi i Kosovës në dy organizmat e rëndësishëm ndërkombëtarë të futbollit, UEFA dhe FIFA, ka nisur t’i japë futbollit të Kosovës “ushqimin” që i ka munguar në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit mbijetesë.
Kështu, Besa e Pejës i është gëzuar shumë transferimit të Bernard Berishës nga Anzhi i Mahaçkallasë tek skuadra çeçene e Terek Groznjit, për një shumë të raportuar në rreth 2.5 milionë euro.
Kjo pasi klubi “amë” i mesfushorit 25-vjeçar pret të marrë 5-përqindëshin e kësaj shume të transferimit. Pra, pejanët po presin t’u vijnë 125 mijë euro nga klubi çeçen, që militon në kampionatin rus.
Kur Anzhi e kishte marrë Berishën nga Skënderbeu i kishte paguar edhe Besës rreth 3-4 mijë euro. Klubi nga Rrafshi i Dukagjinit kishte marrë edhe rreth 7 mijë euro nga klubi kinez, Çengçan Jatai, kur e kishte marrë Fatos Beqirajn nga Dinamo e Zagrebit.