AlbanianSport.com 30.12.2016 08:50
ASNN – Trajneri Arsen Venger ka konfirmuar se mbrojtësi shqiptar do të jetë njëri nga tre lojtarët mbrojtës kundër Kristal Palasit. Shkodran Mustafi është rikthyer në trajnimet e Arsenalit dhe është i gatshëm që të aktivizohet në sfidën e së dielës.
Mbrojtësi shqiptar që luan për reprezentacionin gjerman, ka tre javë që nuk është duke luajtur, për shkak të dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Stouk Sitit, ku “Topçinjtë” londinezë fituan me rezultatin 3-1.
Por, tanimë, Arsene Vengeri ka konfirmuar se Mustafi është një mundësi për të luajtur kundër Kristal Palasit, duke qenë në dispozicion së bashku me Deni Uellbekun dhe Aleks Oksejd-Çembërlein.
Uellbeku nuk ka luajtur as edhe një minutë të vetme gjatë këtij sezoni por është rikthyer në të gjitha trajnimet pas dëmtimit të gjurit, derisa Oksejd-Çembërleini do të ketë teste për formën fizike, por besohet se do të jetë në dispozicion.
“Shkodrani është kthyer në stërvitjen normale dhe ai do të rikthehet në ekip”, – ka thënë trajneri francez i londinezëve, duke folur për faqen zyrtare të klubit të Arsenal në Internet.