Nga Gjergj Vyshka 28.12.2016 09:35
Partizani i Ylli Tomorrit është absolut në kampionatin e volejbollit të meshkujve dhe Kupën e Shqipërisë. 11 ndeshje të luajtura për të kuqtë, 11 fitore dhe asnjë humbje. E po kështu 33 sete të fituara dhe vetëm 2 të humbura, që do të thotë ekip absolut.
Pas tyre Farka Voleji, që duke humbur vetëm ndaj Partizanit e Vllaznisë, gjithsesi mbetet skuadra më rivale për të kuqtë. Surpriza mbetet Studenti, që në fakt sezonin e ka shoqëruar me 3 dështime.
Së pari, është eliminuar në fillim të këtij sezoni nga Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit, më pas nga Kupa e Shqipërisë dhe paraqitjet jo dinjitoze ndaj turqve të Zirat Bankasi Ankara janë një pikëpyetje e madhe për këtë skuadër, që sivjet drejtohet nga Arben Sako.
Megjithatë kohë për rikuperim ka edhe “play-off”-in mund të kapet prej tyre, sikurse nga Tirana e Erzeni. Të vetme skuadra që i bëjnë “hije” këtij kampionati janë Skënderbeu, Teuta e Elbasani, që shumë pak janë të afta për t’u bërë pengesë për krerët.