Gjergj Vyshka 28.12.2016 20:45
Për herë të parë në këto vite të fundit, volejbolli shqiptar arrin të eksportojë lojtarë. Bëhet fjalë për Sava Thakën, e cila ka firmosur për një vit për klubin polak KSZO Ostroviec me të cilin deri më tani ka luajtur 12 ndeshje. Por dhe për Erblira Bicin, që aktivizohet në Itali me LPV Palavolo Mondovi gjatë gjithë kësaj pjese të parë të sezonit.
Ajo që vlen të përmendet është fakti se të dyja këto lojtare janë pëlqyer nga pjesëmarrja me përfaqësuesen e volejbollit të femrave në Ligën e Evropës, ku njëra fazë e ndeshjeve u zhvillua në Poloni, ndërsa tjetra, në Durrës, teksa është fituar 3-2 me Poloninë e Bjellorusinë.
Që do të thotë se një përfaqësuese e fortë, përfituar kjo si ide nga futbolli, duhet të ketë sa më shumë lojtare të aktivizuar jashtë vendit si një përfitim për rritje cilësore të nivelit të saj. Gjë që meshkujt ende nuk po e bëjnë e vijojnë të jenë shumë prapa në arenën ndërkombëtare.