Gjergj Vyshka 28.12.2016 18:55
Një pikë më vete e prekur në raportin e sekretarit Llazani ka qenë marrëveshja e pazbatuar nga Radio Televizioni Shqiptar për ndeshjet e basketbollit. Sipas kryekzekutivit të koshit shqiptar për shkak të futbollit anashkalohet basketbolli, ndërsa edhe mbyllja e Kupës së Shqipërisë në Durrës nuk u pasqyrua. E menjëhershme ka qenë edhe kundërpërgjigja e drejtorit të departamentit të sportit në RTSH, Pano Xhixho.
“Marrëveshja, – thotë Xhixho, – është respektuar në çdo ndeshje ndërkombëtarëve të përfaqësueseve femra dhe meshkuj. Madje për herë të parë në historinë e transmetimeve të basketbollit ne kemi siguruar të drejtën dhe kur kombëtarja e meshkujve ka luajtur jashtë. Ndërkohë që kemi dhënë dhe finalet e Kupës, ndonëse kishin një organizim të dobët duke ikur dritat 3-4 herë gjatë një ndeshjeje.”
“Për sa i përket kampionatit kombëtar jemi përpjekur të transmetojmë ato ndeshje që nuk bien në ditë që luhet futboll, – ka vijuar ai. – Të jemi të ndërgjegjshëm, aktualisht basketbolli nuk e konkurron dot futbollin dhe ne na përplasen transmetimet”. Por në emër të Ardhmërisë Basket, Afrim Bilali ka ngritur dhe shqetësimin e përfitimit të klubeve nga e drejta e transmetimit.