Gjergj Vyshka 28.12.2016 13:25
Nga përfaqësuesit e Galaktikëve është ngritur shqetësimi se pse tarifat e rritura për pjesëmarrjen në kampionat të Nën-16 dhe Nën-18-vjeçareve janë lajmëruar vetëm një javë përpara. “Sepse nëse unë e kam lajmëruar sponsorin tim për 500.000 lekë, nuk kam se si ti them që duhen dhe 500.000 të tjera për të marrë pjesë”, – kanë thënë ata.
E megjithatë përgjigja ka ardhur menjëherë nga Ponari, që ka deklaruar se vendimet e kryesisë për rritjen e tarifave janë marrë një vit e gjysëm përpara dhe po kështu janë lajmëruar dhe klubet. Marvi Kristo ka ngritur problemin pse një lojtar i Nën-18-vjeçarëve, apo i datëlindjes 2001, nuk duhet të luajë me Nën-16-vjeçarët.
Madje Toska ka thënë se lojtarë të tillë nuk duhen privuar as të luajnë me ekipet e moshës së tyre, apo as me kombëtaret më të mëdha. Ndonëse tek të rriturit, apo të rriturat, kjo provë në një farë mënyre ka dështuar. Megjithatë shpjegimi i drejtuesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit ka qenë se tashmë është bërë ndarja që të gjithë të luajnë me moshat e tyre jo të bëhen parakalime.
Si nga trajneri i Kamza Basket, Adem Muhametaj, por edhe të tjerë është folur dhe për komisarët, të cilët nuk raportojnë asnjëherë atë që ndodh nëpër ndeshje. E në një farë mënyre është kërkuar që të hiqen. Madje të dënohen dhe gjyqtarët, ashtu sikurse bëhet me klubet.
Por të gjithë janë mbrojtur në këtë ide se dhe në arenën ndërkombëtare nuk ka ndeshje pa vëzhgues e sekretarë. E me këto diskutime, të vazhduara dhe jashtë, asambleja vjetore ka marrë fund, për të vijuar me drekën festive, të organizuar më pas, po në mjediset e “Sky Hotel” në kryeqytet.