AlbanianSport.com 28.12.2016 12:30
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka deklaruar se ka kërkuar që oferta e marrjes së kredisë nga shteti i Hungarisë për ndërtimin e stadiumit kombëtar të jetë në rend dite në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të kësaj jave.
Shala shpreson që të miratohet kërkesa për marrjen e kredisë prej 50 milionë eurosh, të ofruar nga Hungaria. Kreu i MKRS-së ka thënë të martën për të përditshmen e mirënjohur të Kosovës, “Koha Ditore” se prirja për t’u miratuar kjo kredi nga kabineti qeveritar është pozitive.
“Është një procedurë standarde, – ka thënë Shala për të përditshmen në fjalë. – Duhet të miratohet nga Këshilli Ndërministror i Investimeve, pastaj Ministria e Financave nis negociatat. Deri këtu ka shkuar mirë. Në mbledhjen e radhës së Qeverisë do të jetë në rend dite për shqyrtim.”