Gjergj Vyshka 27.12.2016 16:10
Por çfarë ka ndodhur realisht në sportet shqiptare gjatë vitit që po mbyllet?
Atletika
Luiza Gega, “nënkampione” e Evropës në 3000 metra me pengesa me kohën 9’28”52, do të ishte kulmi i atletikës për vitin 2016. Por jo vetëm kaq, shtatshkurtra e artë e atletikës shqiptare, është “kampione” e Ballkanit në sallat e mbyllura më 27 shkurt 2016 në Stamboll.
Për shkak të një gjendje gripale nuk del mirë në Botërorin e Sallave të Mbyllura në Portlend të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sikurse dëmtimi në tendinin e Akilit e ka penguar të japi më të mirën në Lojërat Olimpike.
Një tjetër arritje e atletikës është Izmir Smajlaj, rekordmen kombëtar në kërcimin së gjati me 8.03 metra dhe në trehapësh me 16.30 metra. Është i nënti në Evropian dhe i 21-ti në Olimpiadë.
Çiklizmi
Eugert Zhupa mbetet kulmi i këtij viti, sepse është “kampion” i Ballkanit, si në garën e kronometrit, ashtu dhe në atë të rrugës, që u zhvillua në Elbasan më 1 dhe 2 korrik 2016.
Ashtu sikurse është shpallur dhe fitues i kampionatit kombëtar, ndërsa Ylber Sefa do të ishte fituesi i Rrethit Çiklistik. Tashmë është duke u kërkuar ngritja e një ekipi profesionistësh, që do të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare.
Peshëngritje
Briken Calja, me vendin e 5-të, dhe Evangjeli Veli, me vendin e 8-të në Olimpiadë, ishin kulmet e shtangës për vitin 2016. Por në Evropianin e Norvegjisë, gjërat nuk shkuan mirë. Tashmë Tirana është konfirmuar si kampione e Shqipërisë.
Ndërsa rikthimi i Begajt dhe Godellit nga dënimi prej dopingut do të shënojë një rritje të forcës për kombëtaren e të rriturve, e cila do të marrë pjesë në Evropianin e Splitit dhe Botërorin e Amerikës. Shqipëria do të jetë organizatore e Evropianit të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve në Tiranë, nga data 15, deri më 22 tetor 2017.