AlbanianSport.com 27.12.2016 12:30
ASNN – Talenti shqiptar i lindur në Shkup, Jasir Asani, është një prej emrave më të përfolur të merkatos së janarit në Kategorinë Superiore dhe është kthyer në objektivin e Partizanit, Skënderbeut dhe Kukësit. 21-vjeçari është drejt largimit nga Vardari, edhe pse mbetet për tu zgjidhur mënyra pasi ka edhe 6 muaj kontratë me klubin e kryeqytetit maqedonas.
Në kushtet aktuale, për sulmuesin e talentuar, nuk ka munguar as interesimi i skuadrave shqiptare në Maqedoni, nga Shkupi te Shkëndija e Tetovës. Por, në një bisedë me paketën sportive shqiptare të transmetimeve me pagesë, “Supersport”, Asani e pranon se do t’i pëlqente të transferohej në Kategorinë Superiore. Kjo për arsye se, sipas tij, se liga e futbollit në Shqipëri është më e fort se ajo në Maqedoni.
Megjithatë, dëshira kryesore e lojtarit është të luajë në një ligë të rëndësishme evropiane. Pas debutimit më 22 janar 2016 me përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si Shpresat, ku edhe shënoi në miqësoren me Arabinë Saudite, objektivi i Asanit natyrisht mbetet që një ditë të bëhet pjesë e Kombëtares së të rriturve të Shqipërisë.