AlbanianSport.com 26.12.2016 08:50
ASNN – Ish-kapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi mund të drejtojë sërish një ekip në Belgjikë. Kjo sepse, sipas mediave belge, ai është kandidati kryesor për të marrë Genkut (që në shqip lexohet “Henk”).
Rezultatet e këtij ekipi në kampionat, ku ndodhet në vendin e 9-të, po rrezikojnë stolin e Peter Maes dhe një rezultat negativ në takimin e së martës në kampionat me Gentin mund ta largojë atë.
Një lëvizje e tillë do t’i hapte rrugën Besnik Hasit, i cili nuk drejton prej shtatorit të këtij viti, pasi u shkarkua nga drejtuesit e Legia Varshavës. 44-vjeçari e njeh mirë futbollin në Belgjikë, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës si futbollist.
Po aty ai nisi edhe atë si trajner me Anderlehtin. Genku është një mundësi e mirë për Besnik Hasin, pasi skuadra është ende në garë në Kupën e Belgjikës dhe në Ligën e Evropës, ku në fazën me eliminim direkt, në turin e 3-shes, do të përballet me Astra Giurgiun.