AlbanianSport.com 09.11.2014 12:20
ASNN – Shqipëria është mbretëresha e “Gongut të Artë” në boks. Kuqezinjtë e ringut, si asnjëherë më parë, kanë arritur të marrin 3 medalje të arta dhe 1 të argjendtë në një prej eventeve më të rëndësishëm të rajonit. Është shkodrani Kristian Demaj që ka dominuar ringun e Shkupit, duke u shpallur boksieri më i mirë i aktivitetit, çka e bën automatikisht fitues të “Gongut” të këtij viti. Kështu kjo është hera e parë që Shqipëria arrin që të fitojë Gongun pas 22 viteve.
Albi Sorra dhe Alban Beqiri arritën të fitonin në finale, duke mposhtur rivalët nga Maqedonia dhe Bullgaria. Nga ana tjetër, fieraku Arnold Kuqari nuk ka arritur të fitojë përballë kundërshtarit të tij nga Kosova në finale. Ndeshje, e cila ka ngjallur emocion dhe ka bërë të ndihen krenarë mbarë shqiptarët, ka qenë ajo e Kristian Demaj. Shkodrani ka bërë një takim spektakolar. Demaj ka mposhtur në finale sfidantin vendës dhe meritoi kupën e boksierit më të mirë të “Gongut të Artë”.