Gjergj Vyshka 23.12.2016 10:40
Kishim kohë që dëgjoja sekretarët e Federatave se salla sportive është një ndër më të mirat e viteve të fundit që po ndërtohet në Shqipëri. Për analogji dhe histori, sot e 35 vjet më parë të fundit Pallate Sporti në Shqipëri kanë qenë ato të ndërtuara dhe që janë ekzistuese në Elbasan, Vlorë e Korçë. Në fundin e 1990-ës dhe fillimin e 1991-it për shkak se në Shkodër, Kisha e Madhe Katolike ishte shndërruar në Pallat Sporti dhe u restaurua, atëherë u ndërtua “Qazim Dervishi” pranë stadiumit “Loro Boriçi”.
E që nga ajo kohë askush nuk u kujtua më për mjediset sportive të shumësportëshit, vetëm kur kishte mbledhje partie, apo dhe mitingje elektorale e votime që më së shumti ktheheshin në qendra të numërimit të votave. Po sot? “Është një sallë sportive me 1300 vende të ulura, – sqaron Drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi lidhur me Sallën e Lojërave me Dorë. – Ka parkingun e saj për dy autobusët e ekipeve dhe për makinat e vogla.”
“Ka dhomën e mediave, që është me dritare xhami, e cila mund të hapet në çdo kohë, si dhe fishat e Internetit ku dhe mund të jetë për kamerat, – ka vijuar ai. – Sigurisht që ka dhe vendin e caktuar për kamerat. E mendoj se gjithçka është OK, sepse dhe dhomat e zhveshjes janë funksionale”. Parketi është shtruar, por tashmë kanë mbetur impiantet e ngrohjes e ftohjes për t’u vendosur, koshat e vizimet e fushës, apo dhe rifiniturat e fundit, që sidoqoftë e duan dhe një dorë të dytë.
Ndenjëset i ka marrë përsipër firma që është duke bërë ndërtimet. “Që të jemi në rregull me të gjitha palët atëherë mendoj se në qershor do të mund të përurohet. E thënë ndryshe për “play-off”-e”, – ka theksuar Doçi, ndërsa një sallë e tillë 60 metra nga muri në mur është dhe për hendboll e futboll salle.