Gjergj Vyshka 23.12.2016 08:50
Flet drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi: Në këtë 6-mujor të dytë punimet kanë ecur me një shpejtësi të paparashikueshme: “Mundet që “play-off”-i i lojërave me dorë të luhet këtu”. Shumësportëshi me shtëpi të re, por çelësat në mënyrë përfundimtare do të mund të dorëzohen në qershor 2017. Të paktën kështu ka pohuar drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, në një prononcim për gazetën “Sport Ekspres”.
Madje ai nuk përton të tregojë atë që po ndodh në pas godinës së ish-Kompleksit “Dinamo”. Në kuadrin e një Parku Olimpik të gjitha punimet janë duke u kryer nga firma “Eurokol”. Ka përfunduar godina e Federatave, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencisë së Shërbimit të Sporteve brenda së cilës do të jenë 3 salla mbledhjesh, më e madhja me 150 vende, ndërsa po në këtë godinë janë dhe dy palestra për peshëngritjen dhe për mundjen.
“Por, – tregon Doçi, – mund të shndërrohen, duke ndërruar dyshekun, apo pajisjet e tjera dhe për “kikboks”, xhudo, taekuondo, apo për të gjitha sportet e arteve marciale. Të gjitha zyrat do të jenë me dritare xhami që të shihen dhe nga jashtë. Dhe unë mendoj se shumësportëshi ka nevojë që të jetë bashkë dhe jo i ndarë. Ndaj më duket se këtu të paktën të gjithë do t’ia ndjejnë veten zyrtarë të plotë të Federatave të tyre”. Po në të njëjtën godinë do të jetë dhe mjekësia sportive, apo dhe laboratori i antidopingut.
“Tualetet e ndara dhe do të ketë mundësi për qëndrimin e mbështetësve që marrin epruvetat për t’u analizuar më pas”, – ka sqaruar Doçi. E për të mos u lodhur nëpër shkallë do të jetë dhe një ashensor funksional për të gjithë ata që do të kenë punë nëpër Federata, Agjencinë e Shërbimit të Sporteve, apo dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, gjithnjë nëse kjo e fundit do të vendosë të lërë zyrat e saj pranë “21 dhjetorit” për të ardhur në të njëjtën çati me shumësportëshin.