Gjergj Vyshka 22.12.2016 22:55
Ndihmëstrajneri i Partizanit: “Në janar do të shihni një organizim model të kësaj skuadre në ringritjen e Akademisë së moshave, që do të jenë një bazë e mirë për të ardhmen e skuadrës”. Partizani, ashtu sikurse kemi shkruar ditë më parë, është skuadra absolute e volejbollit të meshkujve. Në 11 ndeshje ka 11 fitore, 8 në kampionat dhe 3 në fazën eliminatore të Kupës së Shqipërisë.
Jo vetëm kaq, por ka fituar 33 sete dhe vetëm dy të humbura. Që thotë se nëntë ndeshje i ka fituar 3-0 dhe vetëm me Tiranën e me Farka Volej në kampionat. Për këtë ecuri ndihmëstrajneri i Partizanit, Elton Tukseferi, mendon se shifrat janë kokëforte dhe nuk kanë nevojë për shumë koment. Sheh si rival Vllazninë e Farka Volejin, ndërsa mendon se në arenën ndërkombëtare volejbolli shqiptar ka pasur rezultate.
Dhe Studenti ka përfaqësuar veten në arenën ndërkombëtare. E thekson se duhet të funksionojnë kombëtaret e moshave, kurse Partizani, gjithnjë sipas Tukseferit, në janar do të ketë dhe Akademinë e moshave në janar. Ja dhe intervista e tij për gazetën “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com po jua sjell në dy pjesë.
Dje është pjesa e parë, ndërsa sot është e dyta dhe e fundit.
… vijon nga dje
– Ndeshja e Studentit në arenën ndërkombëtare tregoi se volejbolli shqiptar ka probleme në përballje të tilla. Sipas jush në këto 26 vjet ky sport ka ecur para, apo ka bërë hapa prapa?
– Normalisht që volejbolli ashtu sikurse çdo sport në vendin tonë ka probleme. Por unë mendoj se volejbolli shqiptar ka bërë hapa para, sepse ka pasur rezultate në arenën ndërkombëtare. Për mua Studenti nuk përfaqësoi volejbollin shqiptar, por përfaqësoi volejbollin e klubit të vet. Kështu që nuk mund ta shohim në këtë prizëm të gjithë volejbollin tonë. Të tjerët sigurisht që kanë ecur më përpara se ne, por mendoj se dhe ne kemi pasur pozitivet tona.
– Megjithatë basketbolli ndryshe nga volejbolli ka guxuar të marrë pjesë me kombëtaret e moshave në arenën ndërkombëtare. A është një rrezik për të ardhmen e sportit të rrjetës kjo mungesë?
– E vërteta është se ekipet e para tashmë dihen. Unë i kam parë ekipet e moshave dhe mendoj se gjendja e tyre nuk është e atillë sa për t’u përfaqësuar në këto veprimtari. Megjithatë duhet të marrin pjesë për t’i shërbyer të ardhmes, sepse mësohet edhe duke gabuar.
– … ta bëra këtë pyetje sepse kombëtaret e të rriturve dhe të rriturave kanë qenë gjithnjë të furnizuara nga kombëtaret e moshave, të cilat kanë pasur rezultate…
– Kjo është e vërtetë e njëri prej tyre jam dhe unë që i kam kaluar të gjitha etapat për të qenë në ekipin e të rriturve. E po kështu dhe të gjithë ky brez lojtarësh kanë kaluar në kombëtaret e moshave dhe kanë pasur rezultate. Është domosdoshmëri, sepse dhe ata duhet ta provojnë veten, mirë apo keq.
– Së fundi, kur do të jeni trajner i parë?
– Është herët për ta thënë një gjë të tillë, sepse kam ende për të bërë për të qenë një trajner i parë. Unë eci me shprehjen “punët e mira bëhen avash-avash”. Kështu që duhet pritur.