Gjergj Vyshka 09.11.2014 09:20
Dje në Almati të Kazakistanit ka nisur Kampionati Botëror i Të Rriturve në Peshëngritje. Dhe për Shqipërinë është ngjitur në pedanë Emanuel Lushi në peshën 62 kg bateria D, si dhe Shqiponja Brahja në peshën 48 kg në baterinë C. Pikërisht kjo e fundit, me përvojën e gjatë që ka, edhe pse është 41 vjeçe, ka dalë e para në Baterinë C. Në shkëputje e ka nisur mirë, teksa ka ngritur 78 kg.
Ka dështuar në dy tentativat e tjera për 83 kg. Por megjithatë me 78 kg është e para në shkëputje. Në shtytje e nis mirë me 90 kg. Është e suksesshme dhe në të dytën me 95 kg, por nuk e ngre dot në 97 kg. Dhe në total me 173 kg është e para në dygarësh në baterinë C. Ndërkohë Lushi në shkëputje i ka humbur të tria provat e tij me 113 kg, duke humbur kështu mundësinë për renditjen në dygarësh.
Në shtytje është i suksesshëm në dy tentativat e para me 130 dhe 135 kg, por më pas ka dështuar në 137 kg. Tashmë shqiptarët kthehen në garë të mërkurën, atje ku në ora 16:00, në peshën 85 kg, Bateria C, konkurron Krenar Shorja. Më pas në ora 19:00 në Baterinë A të peshës 77 kg do të jetë dueli i gjigandëve Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj.
Dhe në mbrëmjen e së mërkurës mbyll gjithçka për shqiptarët në peshën 85 kg, Bateria B, Hysen Pulaku. Të enjten e 13 nëntorit në ora 16:00, në Baterinë A të peshës 63 kg, do të jetë Romela Begaj, kurse në ora 21:00, Bateria C e peshës 94 kg, do të jenë Endri Haxhihyseni dhe Sopot Sula. Pritet medalje nga Godelli, Qerimaj dhe Begaj e në këto kushte Botërori do të jetë i rëndësishëm dhe për kualifikimin në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.