AlbanianSport.com 20.12.2016 16:20
ASNN – Paolo Tramexani nuk është më zëvendëstrajner i Kombëtares së Shqipërisë. Ish-numri 2 i stolit të kuqezinjve do të drejtojë një skuadër në kampionatin zviceran të futbollit.
Është skuadra e Luganos, të cilën Tramexani do ta drejtojë për periudhën në vazhdim të Superligës Zvicerane. Ai do të zëvendësojë Andrea Manxon, i cili u largua nga Lugano për rezultate të dobëta, teksa në 18 ndeshje kishte marrë po aq pikë.
Sipas mediave helvete, Paolo Tramexani do të nënshkruajë një kontratë prej 2 vitesh e gjysmë. Për të do jetë një detyrë e vështirë drejtimi i Luganos teksa ndodhet vetëm dy pikë më lart në renditje se FC Tuni dhe Vaduzi.
Këto dy të fundit ndajnë dy vendet e fundit të renditjes së Superligës Zvicerane. Për 46 vjeçarin, ish-futbollist i Interit, kjo është e para herë që merr përsipër detyrën e trajnerit të parë.
Deri tani ka bërë detyrën e zëvendëstrajnerit të Xhovani De Biazit në drejtimin e kombëtares shqiptare që nga 2011-ta. Madje, shumë e kanë cilësuar Tramexanin si një nga shtyllat e suksesit të trajnerit kuqezi.