AlbanianSport.com 19.12.2016 14:20
ASNN – FIFA e ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Etrit Berishën, dhe dy e pezulluar edhe me dy ndeshje gardianin e Kombëtares për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e nëntorit ndaj Izraelit.
Organizmi që qeveris futbollin në vend, FSHF-ja, përmes faqes së zyrtare në Internet ka konfirmuar se është gjobitur me 10 mijë franga zvicerane për sjelljen e tifozëve në ndeshjen Shqipëri-Izrael.
Kurse Berisha është gjobitur veçmas me 5 mijë franga për shkak të kartonit të kuq. Berisha u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Izraelit pasi e goditi me kokë sulmuesin Zahavi.
“Federata Shqiptare e Futbollit është njohur sot me vendimet e marra nga Komisioni i Disiplinës në FIFA gjatë mbledhjes së datës 9 dhjetor, – thuhet në njoftimin e FSHF-së. – Lidhur me ndeshjen Shqipëri-Izrael, ky Komision ka vendosur të dënojë FSHF-në me 10,000 franga zvicerane gjobë për sjellje të gabuar të tifozëve.”
“Gjithashtu, portieri Etrit Berisha, i cili u ndëshkua me karton të kuq gjatë kësaj ndeshjeje, është dënuar me 2 ndeshje pezullim dhe 5.000 franga zvicerane gjobë”, – përfundon njoftimi i FSHF-së.