AlbanianSport.com 17.12.2016 09:45
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, ka luajtur dje takimin e parë të javës së saj të 9-të dhe Teuta ka marrë përkohësisht kreun e renditjes, pasi ka mundur në Durrës Flamurtarin me rezultatin bindës, 94-62.
Durrsakët e drejtuar nga veterani Astrit Greva, kanë dominuar që në fillim, duke e fituar pjesën e parë 24-12, ndërsa e njëjta tablo është edhe në pjesën e dytë, që Teuta e fiton 25-16 dhe në pushim shkon duke kryesuar 49-28. Edhe dy pjesët e tjera do të fitohen nga vendasit, përkatësisht 24-17 dhe 21-17 dhe Teuta korr kështu fitoren e 7-të.
Dy takimet e tjera të kësaj jave luhen sot dhe, duke nisur nga ora 18:00, Tirana do të presë në shtëpinë e saj, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, Ardhmëria Basketin, duke synuar t’i japë fund një vazhde negative prej 3 humbjesh radhazi në Ligën Ballkanike dhe në kampionat.
Po në të njëjtën kohë, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrën, Vllaznia pret Kamza Basketin në duelin e skuadrave që synojnë të shmangin vendin e 4-t, që në “play-off”-in final përballet me vendin e parë të renditjes. Vetëm një pikë i ndajnë shkodranët nga Kamza Basket.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 9-të
(16-17 dhjetor 2016)
Të premten:
Teuta – Flamurtari 94-62
Të shtunën:
Tirana – Ardhmëria Basket ora 18:00
Vllaznia – Kamza Basket ora 18:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Teuta 9 7 2 709-571 16
- Tirana 8 7 1 705-550 15
- Vllaznia 8 5 3 579-548 13
- Kamza Basket 8 4 4 634-621 12
- Ardhmëria Basket 8 2 6 516-505 10
- Flamurtari 9 0 9 472-821 9