ASNN – Në kampin kuqeblu analizat pas çdo ndeshje janë krejt të zakonshme. Pavarësisht rezultateve që ofrojnë takimet në fjalë, stafi teknik bën punën e tij duke i vënë në dukje futbollistëve të mirat dhe të metat, por mbi të gjitha dhe problemet që ato kanë pasqyruar në fushën e lojës. Sidomos kur humbjet dhe pozitat e skuadrës përkeqësohen, siç është edhe rasti në fjalë, pritshmëria e analizës ka tensionin brenda.
Megjithatë kjo e djeshmja, e cila vinte pas ndeshjes me Laçin, thuhet se nuk ka qenë e tillë. Ajo ka zgjatur vetëm pak minuta dhe me skuadrën ka qenë vetëm stafi teknik. Kurse drejtuesit e klubit Vllaznia nuk janë parë të jenë të pranishëm. Sidoqoftë trajneri Cungu nuk ka qëndruar pa folur, pasi, gjithnjë nga sa bëhet e ditur, në ato pak fjalë ai i ka thënë të gjitha.
Thelbi i asaj që ai ka dashur t’i përcjellë skuadrës ka të bëjë me pakënaqësinë totale që ai ka pasur ndaj skuadrës në 90-minutëshin e luajtur të mërkurën në Laç. Ndër të tjera, ai u ka bërë të ditur futbollistëve që “kështu nuk e keni aspak mirë dhe nëse do të vijohet të luhet në këtë mënyrë gjërat vështirësohen jashtë mase”. Në njëfarë mase, bëhet e ditur se paraqitja zhgënjyese me dy humbjet e radhës ka ftohur jo pak edhe raportet e trajnerit me skuadrën.
Gjë që, në një farë mënyre, një gjë të tillë ia ka bërë të ditur edhe vetë Cungu. Ai i ka bërë të ditur se nëse gjërat nuk ndryshojnë për mirë, atëherë edhe raportet mes tyre mund të mos jenë të mira.