AlbanianSport.com 15.12.2016 12:55
ASNN – Nuk ishte kthimi që ai kishte shpresuar, por një kthim sidoqoftë mjaft i dëshiruar. Ermir Lenjani u kthye mbrëmë në fushë me ekipin e parë të Renës, pas thuajse 4 muajsh mungesë. Futbollisti i Kombëtares kuqezi luajti në Kupën e Ligës së Franës, por skuadra e tij u mund thellë, 0-7 në fushën e Monakos.
Megjithatë 27-vjeçari ishte ai i cili pati mundësinë më të mirë për të shënuar në minutat e fundit, por goditja e tij u grushtua nga portieri i skuadrës së Principatës, Danijel Subasiç. Emir Lenjani ka luajtur shumë pak me skuadrën e parë këtë sezon dhe kjo i është kthyer në një pengesë për karrierën e tij.
Në total është aktivizuar 114 minuta në kampionat dhe kupë. Kontrata me Renën përfundon në qershor të 2017, por ai është përfolur vazhdimisht se mund të ndryshojë ekip. Sezonin e kaluar ai u huazua tek Nanta, ku pati më shumë mundësi për të luajtur, duke shënuar edhe një gol në kampionat.